Policia Kufitare në Kakavijë ka proceduar penalisht një 50-vjeçare pasi është kapur me 41 mijë euro në çantë të padeklaruara në tentativë për të kaluar nga Shqipëria në Greqi.
“Tentoi të dilte nga Shqipëria, me 41 000 euro të padeklaruara, procedohet penalisht 50-vjeçarja. Sekuestrohet shuma e parave.
Si rezultat i rritjes së vigjilencës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në PKK Kakavijë, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetases Zh. D., ku u gjetën 41 000 euro, të cilat kjo shtetase nuk i kishte deklaruar konform ligjit.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasen Zh. D., 50 vjeçe, banuese në Greqi. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.