Një tjetër person i shpallur në kërkim është kapur nga policia. Kësaj here bëhet fjalë për 46-vjeçarin Hazis Isenlikaj banues në Mat. Ai është dënuar nga Gjykata e Shkodrës në vitin 2017 me 8 vite burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Operacioni për kapjen e 46-vjeçari u bë nga policia e Shkodrës në bashkëpunim me atë të Tiranës.
Kujtojmë që mëngjesin e kësaj të shtune, RENEA kapi një 47-vjeçar të shumë kërkuar nga policia e Vlorës. Xhevahir Jonuzi ishte shpallur në kërkim sepse është dënuar me 25 vjet burg për vrasje. Por gjatë operacionit të ditës së sotme në fshatin ku ai banonte, Jonuzi qëlloi me armë ndaj forcave speciale.
Ky veprim solli kundërpërgjigjen e RENEA-s, efektivët e së cilës e plagosën Jonuzin në këmbë. Pas ndihmës së parë, ai u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.