Qeveria shqiptare ka arritur marrëveshjen me palën greke që Dogana e Kakavijës dhe Kapshticës të qëndrojë e hapur ditën e sotme deri në orën 22:00. Lajmin e bën të ditur ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Por ministrja thotë se nga dita e nesërme personat që do të kalojnë do të duhet që të bëjnë kërkesën me formular dhe testin negativ. Po ashtu nga nesër do të vijojë edhe kuota ditore prej 750 personash në Kakavijë dhe 300 personash në Kapshticë që duhet të kalojnë kufirin.
“Kakavija dhe Kapshtica do të qëndrojnë hapur deri në orën 22:00. Risjellim në vëmendje që nesër nis kufizimi i ri nga pala greke duke vendosur kuota dhe kërkesa për formular dhe test negativ. Qytetarët të mos paraqiten nesër në Kakavijë e Kapshticë pa formularin dhe testin negativ”, thotë ministrja.
Xhaçka shprehet se orari i ri u vendos pas bisedimeve me palën greke. Procedurat për shkak të koronavirusit në doganë nga pala greke kanë krijuar radhë të gjata makinash në Kakavijë të Gjirokastrës. Qytetarët presin që të kalojnë kufirin dhe të shkojnë në vendbanimet e tyre në shtetin helen ku edhe punojnë.