Pika Kufitare e Kapshticës do të qëndrojë e bllokuar nga pala greke deri më datë 8 Shkurt. Mësohet se autoritetet shqiptare janë njoftuar nga pala greke se hyrja drejt shtetit helen do të vijojë të jetë e mbyllur deri në atë datë.
“Autoritetet e Policisë Greke, në vijim të masave të marra nga qeveria greke mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, kanë njoftuar palën shqiptare për shtyrjen e afatit të bllokimit të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, deri në datën 08.02.2021. Sqarojmë se deri në këtë datë, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi, vijon të jetë e mbyllur”.
Por nga ana tjetër, hyrja për në Shqipëri është e lejuar vetëm për këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë. Autobusët, taksitë dhe mjetet e tjera të transportit të pasagjerëve nuk do të lejohen të hyjnë në vendin tonë.
“Ndërsa dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, vetëm për këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë (kamionë mallrash). Mjetet si autobusë, taksi, apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve, nuk do të lejohet të kalojë”, thuhet në një njoftim.