Aktualitet Karantina për emigrantët, Meta: Akt barbar, Komiteti fshehu 10 mijë vdekje nga...

Karantina për emigrantët, Meta: Akt barbar, Komiteti fshehu 10 mijë vdekje nga Covid

Presidenti Ilir Meta ka kërkuar nga Komiteti i Ekspertëve, nga qeveria dhe KQZ që të hiqet masa për ndalimin e emigrantëve që të vijnë e të votojnë në Shqipëri.

Meta në një konferencë për mediat ka thënë se vendimi për ndalimin e ardhjes së emigrantëve me pretekstin e Covid është një akt i dhunshëm, barbar dhe diskriminues.

Kreu i shtetit më tej hodhi akuza kundër Komitetit Teknik të Ekspertëve, duke e quajtur të kapur nga qeveria, ndërsa shkoi më tej duke thënë se këta ekspertë kanë fshehur 10 mijë vdekje nga koronavirusi.

 “Të nderuar qytetarë ndalimi i votimit të emigrantëve tanë nga Greqia në zgjedhjet e 25 prillit përbën një akt të dhunshëm, barbar, diskriminues dhe anti-kushtetues të ndalimit të së drejtës për të zgjedhur, që duhet ta gëzojë çdo shtetas në moshën 18 vjeç. Arsyeja e ndalesës dhe i diskriminimit të mijëra bashkatdhetarëve tanë për të marrë pjesë në votime për shkak të pandemisë është pretekst fals, i pabazuar shkencërisht, absurd dhe një përdorim politik për qëllime elektorale nga partia shtet.

Kjo është farsa i gjoja përpjekjeve për përfshirjen e diasporës  dhe emigrantëve tanë në votime, të cilëve po iu ndalohet e drejta për të ardhur në atdhe dhe për të votuar.

Kë të besojmë ne? Komitetin politik të partisë shtet që zbaton qorrazi urdhrat e diktatorit në largim dhe që fsheh nga statistikat rreth 10 mijë vdekje të shkaktuar nga Covid-19, apo Qendrën Kombëtare të Kontrollit të Sëmundjeve të Amerikës, autoritet shkencor i padiskutueshëm botëror, që u shpreh se qytetarët e infektuar dhe ata të ekspozuar ndaj Covidit mund të votojnë lirshëm duke u paraqitur personalisht në qendrat e votimit. Udhëzimi u zbatua në zgjedhjet presidenciale. Së fundi, i bëj apel qeverisë, KQZ, dhe Komitetit të ekspertëve të manipuluar që të heqë menjëherë këtë ndalesë që përbën dhunim të Kushtetutës”, u shpreh Meta.