Komiteti i Ekspertëve vendosi sot të aplikojë një karantinë 14 ditore për të gjithë ata qytetarë që duan të hyjnë në vendin tonë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.
Masa e karantinës do të nisë nga dita e nesërme dhe do të qëndrojë në fuqi deri më 3 maj. Sipas Mira Rakacollit, kjo masë merret pasi këto vende fqinjë kanë ende shifra të larta ditore të infektimeve.
“Situata është drejt përmirësimit dhe ai vjen si pasojë e masave të propozuara në kohën e duhur dhe nga një bashkëpunim më i mirë nga qytetarët sidomos me mbajtjen e maskave dhe të distancimit. Ka filluar të ndihet dhe procesi i vaksinimit masiv. Por në rajon situate paraqitet ndryshe, fqinjët tanë kanë raste të shtuara dhe vdekshmëri më të lartë. Sfida e komitetit tonë është përmirësimi i indikatorëve duke parashikuar faktorët. Mosrespektimi i masave nga disa subjekte mund të çoje në rritjen e rasteve. Po ashtu edhe festa e Pashkëve, pasi ka një lëvizje të njerëzve dhe nga vendet e tjera. Mendojmë duke filluar nga nesër të vendoset karantina dy javë për ata që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia deri në 3 maj”, tha Rakacolli.
Ndërkohë, për nxënësit e viteve të 1 dhe të 2 të gjimnazeve u vendos që të rikthehen nëpër klasa dhe mësimi të mos zhvillohet online.