Bota Karl Nehammer kancelari i ri i Austrisë

Karl Nehammer kancelari i ri i Austrisë

Karl Nehammer, 49 vjeç, do të bëhet kancelari i ri i Austrisë dhe kreu i Partisë Popullore Austriake konservatore (OEVP), vendosi ekzekutivi i partisë.

Ish-ministri i Brendshëm pason Alexander Schallenberg, i cili dha dorëheqjen vetëm pas dy muajsh në detyrë.

”Si kreu i qeverisë ashtu edhe i partisë së maxhorancës duhet të jetë i njëjti person”, deklaroi Schallenberg.

Ndryshimi në udhëheqje u shkaktua nga tërheqja e ish-kancelarit, Sebastian Kurz nga të gjitha funksionet në parti dhe nga politika në përgjithësi.

Kancelari austriak Alexander Schallenberg dha dorëheqjen, më pak se dy muaj pas inaugurimit të tij dhe disa orë pasi paraardhësi i tij i përfshirë nga skandali, Sebastian Kurz, njoftoi largimin nga politika.

Kurz, i dyshuar për korrupsion tha se do të japë dorëheqjen si kreu i partisë dhe kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, duke deklaruar kështu tërheqjen nga politika.

35-vjeçari po hetohet nga Prokuroria Publike për Çështjet Ekonomike dhe Korrupsionin. Ai dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë politikë dyshohen nga prokuroria se kanë publikuar në media sondazhe të manipuluara.

Për këtë qëllim thuhet se janë shpërdorur fonde publike por Kurz i mohon këto akuza. Në mesin e Nëntorit, parlamenti austriak votoi për heqjen e imunitetit të ish-Kancelarit.