Problemi i kartave ID të skaduara në Himarë nuk është çështje e KQZ-së. Kështu deklaroi komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, sipas të cilit nuk ka patur kërkesë zyrtare nga partitë politike për të marrë një vendime akt normativ.
Sipas OMONIA-s, janë 6 mijë votues që nuk mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar për shkak të skadimit të kartës, por Celibashi thekson se kjo shifër ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara.
“Procesi po shkon normalisht çështja që ka qenë objekt diskutimi dhe sjelljes së vëmendjes është ajo e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, por sikurse e kemi bërë me dije, kjo nuk ka të bëjë me përgjegjësitë e KQZ por mbetet jashtë procesit zgjedhor në themelin e vet. Janë 6 mijë votues që dokumentet e identifikimit u kanë skaduar. Gati e njëjta shifër votuesish ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara që nuk kishin një ID të vlefshme. Ne e kemi bërë këtë komunikim sa herë ka patur kërkesë nga partitë politike. Nuk e kemi patur zyrtarisht nga partitë politike. E kemi patur në mënyrë informale ditët e fundit, por në fund ngelet një çështje që është jashtë sferës së KQZ-së”.
Sipas Celibashit, kjo çështje duhet të ishte zgjidhur më parë dhe lidhet me interesin e vetë votuesve
“Ne nuk kemi patur komunikim sot me përfaqësues të qeverisë e ministrisë së Brendshme se nuk do të kishte zgjidhje sot, kjo çështje duhet të ishte zgjidhur më parë. Kjo lidhet me interesin e vetë votuesve për të disponuar një dokument identifikimi dhe pastaj autoritet përgjegjëse duhet t’i përgjigjen këtij interesi. Dhe e dyta për partitë e subjektet e interesuara. Është një interes që lidhet me votuesit, kandidatët dhe pjesëmarrësit në garë”.