FIFA ka njoftuar në rrjetet e saj sociale për futjen e mundshme të kartonit blu në futboll.
“FIFA dëshiron të sqarojë çështjen e të ashtuquajturit karton blu. Nuk është e vërtetë që ne planifikojmë ta prezantojmë atë në nivelin elitar të futbollit dhe të gjitha raportet për këtë janë të parakohshme dhe të pasakta. Çdo testim, nëse futet, do të kufizohet në testimi në nivele më të ulëta. Këtë temë do ta rihapim më 2 mars”.
Ky reagim vjen pasi në disa media u shkrua se së shpejti në futboll mund të futet edhe kartoni blu.
Kartoni blu do t’i lejonte arbitrit të ndeshjes të largonte nga fusha për 10 minuta lojtarët që protestojnë në formë agresive. Ose kryejnë faulle taktike për të ndërprerë lojën.
IFAB, organi kryesor i bërjes dhe njohjes së rregullave të futbollit, ka punuar për këtë projekt prej disa kohësh.
Ky rregull nuk do të zbatohet në ligat më të forta në botë, por do të niset (nëse zyrtarizohet) nga gradat më të ulëta, duke shërbyer dhe si trajnim për gjyqtarët.