Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar vendimin e KQZ-së me kryetar Ilirjan Celibashin i cili nuk regjistroi në zgjedhje Partinë Demokratike të grupit të Enkelejd Alibeajt.
Me vendimin e sotëm, KQZ do të duhet të regjistrojë në zgjedhjet vendore të 14 Majit Partinë Demokratike me nënkryetarin Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë.
“Në emër të KQZ, KAS me shumicë votash vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore nr.33 të ankuesit Partia Demokratike. Pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore nr.32 të ankuesit Partia Demokratike e përfaqësuar në seancë nga Indrit Sefa. Ankuesi Partia Demokratike përfaqësuar nga Indrit Sefa të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë: Deklaratën sipas shkronjës b të pikës 2 të nenit 64 të Kodit Zgjedhor me të dhënat për nënkryetar z.Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar. Deklaratën e angazhimit solemn të nënshkruar nga nënkryetari z.Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë. Ndryshimin e vendimit të Komisionerit Zgjedhor të Zgjedhjeve dhe detyrimin e komisionerit të regjistrojë subjektin zgjedhor Partia Demokratike me nënkryetarin Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin e KAS.
Pas daljes nga mbledhja e KAS, përfaqësuesi i grupimit të Enkelejd Alibeaj, Indrit Sefa, u shpreh se me vendimin e marrë për regjistrimin të tyre në KQZ për zgjedhjet e 14 Majit, do të fillojë puna për fushatën zgjedhore dhe për shpalljen e kandidatëve për kryetarë bashkie dhe këshilltarëve bashkiakë.