Politika KAS rrëzon Berishën, njeh Bashën si kryetar të PD

KAS rrëzon Berishën, njeh Bashën si kryetar të PD

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve vendosi të rrëzojë ankimimin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ të cilët kundërshtonin regjistrimin e  Partisë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kukësit.

KAS la kështu në fuqi vendimin e datës 4 shtator të Komisionerit Ilirjan Celibashi, i cili regjistroi Partinë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën për zgjedhjet e pjesshme të 24 shtatorit.

Pavarësisht pretendimeve të përfaqësuesit ligjor të Rithemelimit për regjistrimin e Partisë Demokratike me kryetar Sali Berishën, Celibashi njoftoi se Gjykata e Tiranës njeh për kryetar Bashën.

Ai sqaroi edhe njëherë se në regjistrin e partive ekziston vetëm një PD, ku Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij janë ata që disponojnë vulën dhe logon.

Për zgjedhjet e Kukësit, të cilat do të mbahen pas arrestimit të Safet Gjicit, të akuzuar për korrupsion, Partia Socialiste kandidon me Prefektin e Qarkut, Albert Halilaj, koalicioni Bashkë Fitojmë kandidon me Emri Vatën, ndërsa PD zyrtare, e drejtuar nga Basha, nuk ka caktuar ende asnjë kandidat.

Më herët, KAS vendosi edhe për rrëzimin e kërkesës ankimore të Partisë Demokratike sa i takon numrit të komisionerëve që do të kenë subjektet politike në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kukësit.

Kësisoj mbetet në fuqi vendimi i Ilirjan Celibashit ku tre komisionerë do t’i emërojë PS, dy PL dhe 1 PD.