Sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso në një deklaratë për mediat, ka akuzuar Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve se ka shkelur çdo standard të mundshëm zgjedhor duke mos pranuar kërkesën e Partisë Demokratike për marrjen e provave nga institucionet e tjera.
Sipas Kasos, kjo dëshmon edhe njëherë masakrën zgjedhore që ka ndodhur më 25 prill.
“Kjo kërkesë, që u rrëzua nga ana e KAS, është më e domosdoshme se kurrë për të zbuluar dimensionin e plotë të asaj që ne e kemi quajtur masakrën zgjedhore të 25 prillit, pasi, për shkak të provave të tjera që po merren, veçanërisht të kërkuara nga opozita, ditë pas dite po dëshmohen parregullsi dhe shkelje të ndryshme që kanë karakterizuar këtë proces. Heshtja e KAS për marrjen e provave, refuzimi i vendosur i KAS, është shkelje e çdo standardi zgjedhor që shkon në drejtim të kundër me atë që është interesi i qytetareve shqiptarë sot”, tha Kaso.