Ashtu si në javën e parë të kampionatit, Kastrioti ia del sërish të triumfojë në Gjirokastër, por këtë herë me një rezultat që askush nuk do ta besonte, 1-5.
Skuadra e drejtuar nga një gjirokastrit si Bledar Devolli, e pati bërë të qartë se do të luajë shanset e saj për mbijetesë deri në fund dhe hapin e parë e hodhi pikërisht sot përballë një rivali direkt.
Nga ana tjetër, vendasit e drejtuar nga Mezani u panë shumë të çorganizuar, ndërsa në fushë u ndje shumë mungesa e futbollistëve si Rroca dhe Shkurtaj, të cilët vetëm në fund të vitit të kaluar iu bashkuan Kukësit.
Pjesa e parë përfundoi me avantazhin e dyfishtë të krutanëve, pas golave të shënuar nga Roger dhe Marku, ndërsa Luftëtari rihapi takimin në minutën e 70’, pas golit të shënuar nga sulmuesi Realdo Fili.
Megjithatë shpresa për gjirokastritët, që të mos dalin pa pikë nga ky takim, zgjati vetëm 15 minuta, pasi në fund të ndeshjes krutanët shënuan edhe 3 gola të tjerë, dy me anë të Markut dhe një me Ramin, duke vulosur fitoren me rezultatin e thellë 1-5.
Pas kësaj fitoreje, Kastrioti mbetet në vendin e fundit, por tashmë në kuotën e 13 pikëve, ndërsa Luftëtari renditet në vendin e 8 me 17 pikë, duke lënë pas Kamzën dhe pikërisht krutanët.