Kryeministri Edi Rama sulmoi sot swrish Ilir Metwn, ndërsa tha se “vendi është katandisur me një President Republike që del atje, sikur po del në oborrin e ndonjë klubi në një ndërtim pa leje në ndonjë periferi të humbur i dehur dhe i vendos notën 10 opozitës”.
“Katandiset ky vend me një President Republike që del atje, sikur po del në oborrin e ndonjë klubi, në një ndërtim pa leje, në ndonjë periferi të humbur. I dehur plotësisht dhe thotë “i vë notën dhjetë kësaj opozite”. Natyrisht është e kuptueshme. I vë notën 10 kësaj opozite, se për vete shkon edhe më larg, ëndërron luftë jo me COVID-in, por me qeverinë, jo me armikun e padukshëm, por me shumicën që e ka kthyer në shënjestër si të ishte një forcë armiqësore”, tha Rama.
Ëndërron, shtoi Rama, të bëhet Vojo Kushi mbi tankun imagjinar që është shtypës për Ilir Metën.
“Sepse shtyp ëndrrën e tij për të vazhduar të hiqet si i treti i vërteti, për t’ju ngjitur o njërit o tjetrit nga dy të mëdhenjtë, për të vazhduar të mjelë lopët apo institucionet e kthyera në lopë për qumështin e ndërmarrjes së Monikës”, u shpreh Rama.
Sipas tij, ky është realiteti i një opozite e cila për fatin më të keq në vend të alternativës, ka zgjedhur aleancën me COVID, në vend të zërit të shpresës, ka zgjedhur të bëhet zëri i fatkeqësisë, në vend të forcës për të qarë hallin e njerëzve ka zgjedhur të bëhet fuqia e errësirës mbi mendjen e shpirtin e njerëzve.
“Thotë propagandë për atë që shikojnë dhe fakt për ato që dërdëllisin”, deklaroi Rama.