Eurodeputetja greke Eva Kaili pritet të dalë të enjten e ardhshme para autoriteteve belge, të cilat do të vendosin nëse do ta caktojnë ose jo masën në paraburgim për përfshirjen në skandalin e Katargate.
Sipas asaj që shkruan gazeta “Ekathemerini” nëse Kaili shpallet fajtore edhe në Greqi, dënimi i dhënë nga autoritetet gjyqësore në shtetin fqinj do të jetë shumë herë më i rëndë se në Belgjikë.
Në Bruksel dënimet për krimet për të cilat ajo akuzohet janë më të buta, duke filluar nga tre deri në maksimumi pesë vjet.
Në Greqi, Kaili po hetohet nga prokurorët dhe Autoriteti i Pastrimit të Parave. Ata po përpiqen të konstatojnë nëse ajo ka sjellë para të padeklaruara nga jashtë dhe i ka investuar ato, konkretisht në pasuri të paluajtshme.
Nëse dalin prova që vërtetojnë akuzat dhe ajo shpallet fajtore, Eva Kaili mund të përballet me një dënim prej 15 vjet burg. Sipas mediave atje fokusi tani është tek Elontech, një OJQ e themeluar në vitin 2017 dhe e udhëhequr nga motra e saj mbi të cilën po zhvillohen kontrolle, veçanërisht në lidhje me flukset e parave.
Dyshohet se kjo OJQ mund të jetë përdorur si mjet për të tërhequr programe europiane me vlerë deri në 15 milionë euro.