Japonia, Filipinet dhe Gjermania u renditën në krye të vendeve më të prekura vitin e kaluar nga ngjarjet ekstreme të motit intensifikuar nga ndryshimi klimatik, sipas një raporti të publikuar sot, që tregon se i pasur apo i varfër, asnjë shtet nuk është kursyer.
Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura, dy valë nxehtësie dhe tajfuni më i rëndë që ka goditur vendin në një çerek shekulli ka shkaktuar në 2018 qindra të vdekur, mijëra të pastrehë dhe më shumë se 35 miliardë dollarë dëme, thekson ky studim i OJQ-së Germanwatch.
“Cikloni Manghut, më i fuqishmi i vitit, shkatërroi Filipinet në Shtator duke zhvendosur një çerek milion persona dhe duke shkaktuar rrëshqitje vdekjeprurëse”, sipas këtij raporti vjetor të rreziqeve klimatike.
Në Gjermani ishte një valë nxehtësie e zgjatur e gjatë verës dhe thatësirës që shkaktoi 1 250 të vdekur dhe humbje prej 5 miliardë dollarësh, kryesisht në sektorin e bujqësisë.
Ky indeks tregon se edhe ekonomitë më të zhvilluara nuk mund t’u shpëtojnë këtyre ngjarjeve të motit shkaktuar nga ngrohja globale.
“Shkenca ka konfirmuar lidhjen mes ndryshimit të klimës nga njëra anë dhe shpeshtësisë dhe ashpërsisë së temperaturave ekstreme,” theksoi Laura Schaefer, studiuese për Germanwatch.
Vera e nxehtë e vitit 2003 shkaktoi rreth 70 000 të vdekur në Europë, kryesisht në Francë.
Pas Japonisë, Filipineve dhe Gjermanisë, vijnë India, goditur nga një nxehtësi ekstreme dhe përmbytjet në 2018 dhe Madagaskari.