Disa prej kryebashkiakëve të opozitës iu janë bashkuar mbledhjes së qeverisë e cila zhvillohet ditën e sotme (9 mars) në Shkodër.
Në takim mësohet se kanë shkuar, kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Hilë Curri, ai i Pukës, Rrok Doda, kreu i bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi dhe i Kavajës, Fisnik Qosja.
Katër kryebashkiakët e opozitës kanë dalë nga listat e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Hilë Curri, Rrok Doda, Albert Mëlyshi dhe Fisnik Qosja i janë përgjigjur pozitivisht ftesës dhe kanë vendosur që të marrin pjesë në takimin e qeverisë në Shkodër, ku janë mbledhur kabineti qeveritar, si edhe drejtuesit politikë e krerët socialistë të bashkive.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku në një postim në Facebook njoftoi se në takim do të merrnin pjesë të 61 kryetarët e bashkive.
“Nisim takimin sot me anëtarët e qeverisë dhe 61 kryetarët e bashkive për sfidat dhe angazhimet e pushtetit vendor për Shqipërinë 2030”, shkroi ministri Mazniku.