Katër futbollistë të Bayern Munich nuk janë pranuar në hotelin e klubit për grumbullimin e skuadrës para ndeshjes së radhës kundër Augsburg, pasi nuk janë të vaksinuar. Ata janë Joshua Kimmich, Serge Gnabry, Jamal Musiala dhe Eric Maxim Choupo-Moting
Të katër këta futbollistë, sipas asaj që bën me dije “Bild”, kanë parë t’u mbyllen dyert e “Maximilian” për shkak të masave shtrënguese në fuqi në Bavari. I ashtuquajturi rregulli “2G” ndalon hyrjen në restorante dhe në hotele për personat që nuk janë vaksinuar.
“Nuk bëjmë përjashtime, – ka pohuar për gazetën gjermane një punonjës i hotelit. – Mund të hyjnë vetëm personat e vaksinuar, ose ata që janë shëruar“.
Gnabry, Kimmich dhe Choupo-Moting u detyruan të linin grumbullimin e kombëtareve për ndeshjet e fundit kualifikuese të Botërorit, pasi kishin pasur kontakt të afërt me Niklas Sulen, lojtarin që rezultoi pozitiv.
Pasi qëndruan shtatë ditë të izoluar, ata u testuan dhe pasi testi doli negativ u rikthyen në stërvitje, ndërsa Sule vazhdon të jetë i izoluar.