Extra Katër mijë hapa në ditë për një jetë më të gjatë. Si...

Katër mijë hapa në ditë për një jetë më të gjatë. Si erdhi nga marketingu rregulli i 10.000 hapave

Shëtitja është gjysma e shëndetit!

Ai që bën 10,000 hapa në ditë do të qëndrojë i shëndetshëm. Një meta-analizë tregon se shëtitjet edhe më të shkurtra janë të mjaftueshme. Po sa duhet të shëtisim në ditë?

Lëvizja është e shëndetshme – kjo dihet dhe theksohet gjithmonë. Edhe një shëtitje e thjeshtë kontribuon shumë në qarkullimin më të mirë të gjakut, përmirëson metabolizmin, forcon sistemin imunitar dhe parandalon sëmundjet kronike.

Ndërsa dikur numëroheshin kaloritë, sot numërohen hapat, më saktë: 10.000 hapa në ditë. Deri më tani, besohej se kushdo që ecën kaq shumë hapa në ditë – në varësi të gjatësisë së hapave, rreth gjashtë deri në tetë kilometra – mbetet në formë të mirë dhe është në gjendje më të mirë shëndetësore.

Meta-analiza hedh poshtë teorinë e 10.000 hapave

Për një kohë të gjatë, shkencëtarët kanë dyshuar në këtë vlerë të supozuar magjike prej 10.000 hapash. Një meta-analizë e re e publikuar në Gazetën Evropiane të Kardiologjisë Parandaluese tani tregon madje se të mjaftueshme për të reduktuar rrezikun e vdekjes së hershme janë edhe më pak se 4000 hapa në ditë. Sipas kësaj analize, mjaftojnë madje edhe 2.300 hapa në ditë për të ulur rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare.

Studiuesit analizuan gjithsej 17 studime të ndryshme dhe kanë pasur akses në të dhënat e mbi 227.000 njerëzve nga pjesë të ndryshme të botës. Ata zbuluan se ecja e përditshme është e lidhur ngushtë me shanset më të mira për të jetuar më gjatë dhe më shëndetshëm – pavarësisht nga mosha, gjinia apo vendbanimi.

Shëtitje në park me fëmijë

Në thelb, sa më shumë të ecni, aq më mirë. Vetëm 1000 hapa në ditë reduktojnë rrezikun e vdekjes së parakohshme me 15 për qind, tregon kjo analizë. Ndërsa me 500 hapa, rreziku i sëmundjeve fatale të zemrës ulet me shtatë për qind. Prej 4000 e më shumë konsiderohet pra si një gjatësi ideale në ditë për të eliminuar në masë më të madhe rreziqet sëmundjet kardiovaskulare.

Rregulli i 10.000 hapave vjen nga marketingu

Këto janë pra të dhënat e fundit nga meta-analizat për lëvizjen dhe gjendjen shëndetësore. Ndërsa rregulli i 10.000 hapave në ditë nuk është vërtetuar kurrë shkencërisht. Shkencëtarët mendojnë se kjo me siguri buron nga strategjia e marketingut të një kompanie japoneze, e bërë për qëllimet e veta.

Në vitin 1964, në kohën e Lojërave Olimpike në Tokio, kompania Yamasa prezantoi instrumentin e parë për matjen e hapave, të quajtur “Manpo-kei” – që do të thotë “numërues i 10.000 hapave”. Ky numër hapash i mban njerëzit në formë dhe është shprehje e një stili jetese të shëndetshëm, shpjegoi prodhuesi në atë kohë. Kjo tezë u shndërrua shumë shpejt në një rekomandim të përgjithshëm – por më së voni ajo tani është hedhur poshtë. Sipas analizave të fundit, mjaftojnë edhe shumë më pak hapa në ditë, por me rëndësi është lëvizja e përditshme./DW