Të mërkurën në orën 15:00, Shqipëria do të zbresë në fushën e Volksparkstadion të Hamburgut, për të sfiduar Kroacinë, pas disfatës në ndeshjen e parë me Italinë.
Trajneri Sylvinho po mendon të bëjë ndryshime në formacionin titullar të Kombëtares.
Gjendja e Jasir Asanit është nën vëzhgim, që gjithsesi nuk duket shqetësuese. Megjithatë, nëse nuk do të jetë në 100% të formës, mendohet se sulmuesi i majtë i Shqipërisë do të ulet në stol, për t’i lënë vendin Arbër Hoxhës.
Ndërkohë, në balotazh është edhe porta, me Strakoshën që mund t’i lërë vendin Berishës. Ndryshim pritet edhe në mbrojtje, me Balliun që do të luajë në vend të Hysajt.
Ndërkohë, Sylvinho mund të ndryshojë edhe skemën e ekipit, duke vendosur që të aktivizojë Qazim Laçin në vend të Taulant Seferit, një zëvendësim që u pa edhe në humbjen 2-1 ndaj Italisë, në ndeshjen e parë të grupit.
Teksa kuqezinjtë janë duke u përgatitur maksimalisht për sfidën vendimtare të grupit B, UEFA ka zbuluar edhe emrin e arbitrit që do të gjykojë sfidën ballkanase në Euro2024.
Francezi Francois Letexier është përzgjedhur nga qeveria e futbollit evropian. Ai do të ndihmohet nga bashkatdhetarët Cyril Mugnier dhe Mehdi Rahmouni, ndërsa arbitri i katërt është zvicerani Sandro Schaaler.
Edhe arbitri i VAR-it do të jetë francez. Ëilly Delajod do t’i besohet dhoma e VAR, ndërsa asistent ka bashkëkombësin Jerome Brisard dhe gjermanin Basrian Dankert.
Sa i përket kryesorit, Letexier është 35 vjeç dhe konsiderohet si një nga arbitrat më të mirë të brezit të ri në Evropë. Ai ka filluar të arbitrojë në klasën elitare të futbollit francez në vitin 2016. Që nga viti 2017 ai është në listën e arbitrave të FIFA-s, ndërsa aktualisht është edhe pjesë e listës elitare të bilbilave të UEFA-s.