Mes të zhdukurve nga aksidenti tragjik i të natës së të martës në Greqi janë edhe 4 shqiptarë. Ata janë Evgenia Micka, Denis Muço, Klaudia Lato dhe Pavli Bozo, trupat e të cilëve dyshohet se ndodhen në njërin prej dy vagonave të shtypur nga përplasja e fuqishme.
Prindërit e Denis Ruçit janë në ankth për të mësuar për fatin e djalit të tyre 22-vjeç, i cili natën e aksidentit kthehej me trenin e aksidentuar nga Athina, ku kishte takuar një mikun e tij.
Nëna e Denisit: Iu dhashë ADN-në. Nuk kam asnjë lajm për momentin prej tij. I lutem të gjithëve, kush e ka parë, kush e njeh dhe ka qenë në të njëjtin vagon, të më telefonojë.
Babai i Denisit: Atë e vranë ata. Kjo është ajo ç’ka ka ndodhur. Janë të gjithë vrarës.
Autoritetet greke janë duke kryer identifikimin e të gjithë trupve të gjetur deri më tani përmes analizave të ADN-së. Në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Larisës vijojnë të jenë 2 shqiptarë të tjerë, njëri 23 dhe tjetri 25 vjeç, të cilët janë në listën e 6 personave të plagosur rëndë.
Numri i viktimave të tragjedisë së të martës është 57, ndërsa të zhdukur rezultojnë 56 persona, bazuar tek denoncimet e familjarëve, të cilët nuk kanë mundur të marrin kontakte me ta. Në shenjë solidariteti me Greqinë ka shpallur datën 5 mars ditë zie kombëtare.
Sakaq, mediat greke shkruajnë se përgjegjësi i turnit Valsilis Smaras, i arrestuar pasi pranoi përgjegjësinë si shkaktar i tragjedisë, nuk kishte shumë eksperiencë në drejtimin e një stacioni treni.
Ai ishte emëruar në këtë post në fund të Janarit, por sipas kolegëve punën në hekurudhë e kishte filluar vite më parë si transportues valixhesh. Përmes kurseve të shpejta ishte emëruar deri përgjegjës turni, por kolegët nuk kishin fare besim tek ai për detyrën që i ishte ngarkuar.
Samaras pranoi para hetuesve se kishte harruar të aktivizonte ndërruesen e shinave, çka bëri që të dy trenat të lëviznin në drejtime të kundërta në të njëjtin binar, duke shkaktuar aksidentin më të rëndë në historinë e Greqisë.