Menjëherë pasi Barcelona humbi zyrtarisht luftën për titullin kampion në La Liga, Lionel Messi vërshoi me një lum kritikash ndaj klubit dhe lojtarëve.
Kaq mjaftoi që të nisin edhe aludimet e para për të ardhmen e argjentinasit. Ne rast se ka një mundësi sado të vogël qoftë ajo që Messi të largohet nga Barcelona, katër janë opsionet ku mund të shkojë.
Opsioni i parë është ribashkimi me Pep Guardiolën tek Manchester City. Nën drejtimin e spanjollit sulmuesi kaloi periudhën më të artë të karrierës së tij dhe një ribashkim mes të dyve nuk duket edhe aq i pamundur.
Një tjetër pistë edhe kalimi tek PSG. Messi ka treguar se i mungon të luajë përkrah Neymar dhe në rast se Barcelona nuk mundi të rikthejë brazilianin në Cump Nou, atëherë sheikët francezë mund të bëjnë të mundur bashkimin e kësaj dysheje në Paris.
Ndërkohë që një mundësi që duhet thënë se është në kufijtë e të pamundurës është kalimi i Messit tek Juventus, aty ku do gjente rivalin e tij të përjetshëm Cristiano Ronaldo dhe ku do formonin mbase sulmin më të mirë të historisë së futbollit.
Ndërsa opsioni i fundit është rikthimi në Argjentinë tek Newell’s Old Boys, edhe pse duhet thënë që është akoma herët që një lojtar si Messi të largohet nga skena e futbollit evropian.