Kulturë “K’cimi i Tropojës”, zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore në...

“K’cimi i Tropojës”, zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore në UNESCO

Pas vlerësimit pozitiv nga Organizmi i Vlerësimit të UNESCO-s, gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, në Asuncion, Paraguaj, “K’cimi i Tropojës” është tashmë pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.

“K’cimi i Tropojës” është një tjetër element unik shqiptar që prezantohet për këtë listë, i cili promovon pasurinë kulturore shqiptare në skenën ndërkombëtare.

“K’cimi i Tropojës”, i njohur gjithashtu si “K’cim Veni”, është një vallëzim festiv që ka ruajtur vitalitetin e tij ndër shekuj. Ai përfshin elementë të artit performues, traditave, ritualeve dhe ngjarjeve festive. Përgjatë viteve, kjo traditë ka mbetur një simbol i identitetit dhe bashkimit për banorët e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës.

Vallëzimi interpretohet në raste të ndryshme ceremoniale dhe shoqërore, si dasma, fejesa dhe festa lokale. Lëvizjet e tij ritmike, të shoqëruara me tupan, çifteli dhe fyell, simbolizojnë energjinë dhe gëzimin që karakterizojnë këtë komunitet. Performancat shpesh përfshijnë veshje tradicionale dhe shami të kuqe ose të verdhë, duke ruajtur kështu autenticitetin e elementit.

“K’cimi i Tropojës” mbetet i gjallë përmes transmetimit brez pas brezi, si në kontekste spontane ashtu edhe përmes përfshirjes në kurrikulat arsimore lokale. Kjo siguron vazhdimësinë dhe zhvillimin e tij, duke e kthyer në një simbol kombëtar të identitetit kulturor shqiptar.