Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka sjellë në vëmendje kryeparlamentares Lindita Nikollës njoftimin që asaj i ka ardhur para një muaji në lidhje me kryetarin e grupit parlamentar të PD-së.
Gjatë fjalës së tij në foltore, Basha, ka hedhur akuza ndaj kryeparlamenatres Nikolla se e doni “opozitën pa grup të formalizuar”.
“Sot është data 5 tetor, me 4 tetor ju keni bërë një njoftim të ardhur nga PD, u bë një muaj që ky njoftim dhe vendimet e mëpasshme, injorohen dhe nëpërkëmben nga ana juaj, faktoi është që ju nuk keni bërë publik asnjë vendim, merrni zvarrë përfaqësimin e PD duke vendosur sipas qejfit dhe dëshirës suaj, fshiheni pas një akti administrative, që nuk ju jep asnjë të drejtë që të vononi me 1 muaj vendimmarrjen përfundimtare. Sot flisni për vendime të grupit të PD, nuk ka vendime të grupit të PD, janë interpretime tuaja të njëanshme, i bëni këto sepse kështu e doni opozitën, e doni opozitën siç e doni ju, e doni ta bëni Shqipërinë si Kukësi, është detyra juaj të shpreheni pro Kushtetutës, pro ligjit për partitë politike dhe Kodit Zgjedhor, ose nëse keni vendosur në kulisat tuaja të errëta të aleancat e kullave dhe Non Gratave, dilni dhe thoni që jeni pjesë e asaj aleancë”, tha Basha.
Pas akuzave, përgjigjja i erdhi nga kreu i grupit të PD Gazment Bardhi që e akuzoi për disa kate në një kullë të Tiranës.
“Të jem i sinqertë u emocionova shumë veçanërisht nga kjo aleanca e kullave. Parafolësi (i referohet Lulzim Bashës) është i vetmi që muajin e fundit ka marrë nja dy kate në një kullë në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës dhe kur vjen këtu për të akuzuar kolegët për aleanca kullash, numëro njëherë katet e kullave të tua në kullën më të shtrenjtë të Tiranës, tënden dhe të familjarëve të tu.
Ja ku janë deputetët e grupit të PD, ti je i vetmi njeri në këtë sallë që je vetëshpallur kryetar partie dhe nuk guxon të mbledhësh grupin parlamentar të partisë që mendon se përfaqëson. Dhe e di pse? Se je ti dhe 3 të tjerë që të shkojnë nga mbrapa. Nuk je as opozitë, as përfaqësues i PD, as përfaqësues i grupit parlamentar të PD, je thjesht i rikthyer pas 1 viti e gjysmë mungese gjoja për të bërë opozitën, por opozitën e ke me kolegët e tua se me këta këtu mbrapa s’ta mban”, deklaroi Bardhi.