Keanu Reeves, ylli i “Matrix” është i njohur për bujarinë e tij, ndërsa ka qenë protagonist i nismave të ndryshme pozitive në shumë raste. Këtë herë aktori kanadez ka dhuruar 70% të fitimeve nga episodi i ri i “Matrix Resurrections”, rreth 31.5 milionë dollarë (21.9 milionë euro), për të financuar kërkimet shkencore për leuceminë.
Pas këtij gjesti është edhe një arsye personale për 57-vjeçarin Reeves: në 1991, motra e tij Kim, sot 55 vjeç, u diagnostikua me leucemi që e luftoi për pothuajse një dekadë. Aktori zemërgjerë i qëndroi gjithnjë në krah duke u kujdesur për të, jo vetëm emocionalisht, por edhe ekonomikisht. Për të kaluar më shumë kohë me Kim dhe për t’i paguar kura – të kushtueshme – shiti shtëpinë e tij në Kaliforni për 5 milionë dollarë.
Pavarësisht shërimit të Kim, Keanu Reeves nuk e braktisi kauzën dhe në vitin 2009 zbuloi se kishte një fondacion privat që ndihmonte spitalet pediatrike në kërkimin shkencor mbi kancerin. “Kam një fondacion privat që funksionon prej pesë-gjashtë vitesh dhe ndihmon disa spitale për fëmijë në kërkimin për shkencor për kancerin”, deklaroi në atë kohë, duke shtuar: “Nuk më pëlqen ta lidh emrin tim me fondacionin, unë e lë të bëjë atë që bën”.