Kejvina Kthella është rikthyer në rrjetet sociale me një njoftim të gjatë për ndjekësit e saj. Ajo ka sqaruar gjatë eksperiencën e saj në “Big Brother Vip”, për të cilën shkruan se ishte një vendim i gabuar i marrë nga ajo.
Kejvina ndër të tjera, shkruan se është manipuluar dhe se eksperienca e saj e ka mësuar të dallojë miqtë nga “pseudomiqtë.”
“Kejvina e BB Vip, ra pre e një manipulimi, të turpshëm, por unë nuk jam këtu për t’u viktimizuar. Jam për të treguar se si ndjehem dhe se si përshkallëzoi situata. Big Brother Vip nuk është formati i lojës që më përshtatet mua. E kam kuptuar me vonesë ndoshta, por kam qenë ende brenda në shtëpi kur kam kërkuar të dal. Unë duhet të dilja nga ajo shtëpi, sepse vendimi im për tu futur ishte i gabuar. Por për një gjë jam mirënjohëse dhe këtë e them me plot gojën. Kjo eksperiencë më mësoi të njoh njerëzit e vërtetë, të njoh miqtë nga pseudomiqtë, si brenda ashtu edhe jashtë shtëpisë së Big Brother dhe të rritem”, thuhet në postimin e Kejvinës.
Modelja ka kërkuar ndjesë publike edhe ndaj Luizit, të cilin e cilëson si “njeriun e vetëm që e ka dashur dhe është treguar i vërtetë me të”.
“Është momenti që unë t’i kërkoj falje njeriut të vetëm që më ka dashur në atë shtëpi dhe është treguar i vërtetë me mua që ditën e parë dhe deri në të fundit. Luiz, për mua je miku i mirë i ditëve të para në shtëpi dhe jam e sigurtë që të dy ne e dimë që do jemi njësoj edhe kur të dalësh jashtë. Shoqëria jonë nisi përpara se të niste “kryqëzata” dhe do vazhdojë edhe më mbrapa. Sepse miqtë këtë bëjnë, qeshin, qajnë, bëjnë batuta, shpesh herë bëjnë edhe gabime, por me rëndësi është që ti kuptojnë dhe të reflektojnë. Dhe jam e sigurtë që ne të dy do jemi gjithmonë miq. E pres në Manati për drekën e famshme”, shkruan mes të tjerash ish-banorja e “BBV.”