Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të 14 majit, Belind Këlliçi, në hapjen e fushatës në ambientet e stadiumit “Air Albania”, u shpreh se në kryeqytet, me ardhjen e tij në krye të bashkisë, nuk do të ketë më diferencime mes qytetarëve.
“Unë nuk do të lejoj më në Tiranë të ketë diferencime. Kudo të banoni, ju do të jeni të barabartë në shërbime dhe investime.
Së bashku do ndërtojmë kopshte, shkolla e çerdhe aty ku duhen dhe ku nuk ka. Shkolla do të vijë te ju, rruga do të vijë te ju.
Policia bashkiake nuk do të ketë më mision gjobitjen e qytetarëve. Do të gjeni hapur një derë ku të trokisni çdo herë që keni një problem.”, deklaroi ndër të tjera Këlliçi.
Këlliçi i qëndroi premtimit të tij për transport falas sipas të cilit përfitojnë 200 mijë banorë.
“Jam i lumtur veç kur e mendoj që 200 mijë banorë që udhëtojnë çdo ditë me urban edhe për 1 muaj nuk do të paguajnë më. Me këto rroga e pensione që keni ato para do t’ju duhen në xhep.
Autobusi do të jetë pa pagesë, kushton vetëm 6.8% të buxhetit të Bashkisë Tiranë. Taksat tona nuk do i marrin më bosët e inceneratorëve. Ju nuk do të mbani më me para ata që janë në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia. Financimi i inceneratorit imagjinar të Tiranës, do të ndërpritet urgjentisht”, tha Këlliçi.