Në protestën e radhës para Bashkisë së Tiranës, opozita kritikoi ashpër ambasadorin e BE në Tiranë, pasi sipas PD, Silvio Gonzato po del publikisht në krah të Erion Veliajt duke e promovuar si model suksesi.
“Dita e sotme ka nisur me një aktivitetit të shëmtuar, ku regjisor kryesor është zyra e delegacionit e BE në Tiranë dhe vetë ambasadori Silvio Gonzato, i cili ditën e sotme do t’i shesë të rinjve ekselentë të Tiranës si model suksesi, Erion Veliajn”, tha Këlliçi.
“Një hajdut ordiner, një mbeturinë njerëzore, mbeturinë politike, i cili është në hetim për vjedhjen e 132 milionë eurove nga inceneratori i Tiranës, të paktën 30 milionë eurove nga dosja 5D, të paktën dhjetëra miliona euro tendera fiktivë”.
Këlliçi u tregua edhe më i ashpër me ish-Përfaqësuesen e Lartë të të BE-së për Politikat e Jashtme, Federica Mogherini, duke e quajtur “komuniste”.
“Këtë njeri, zyra e BE në Tiranë, së bashku me një komuniste si Federica Mogherini, vijnë dhe e shesin si një simbol suksesi. Kjo është tallje për çdo qytetar të ndershëm, për çdo njeri me shtyllë kurrizore dhe që ka një pikë dinjiteti”, tha Këlliçi.
Aktiviteti të cilit i referohet Këlliçi ka të bëjë me një ceremoni me studentë në kampusin shqiptar të Kolegjit të Europës, rektore e të cilit është Mogherini.
Në aktivitet do të marrë pjesë edhe ambasadori i BE në vendin tonë, Silvio Gonzato, kryebashkiaku Veliaj dhe ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu.
🇦🇱 Exciting news! Tomorrow, our pioneering students in Tirana will be officially welcomed at the Liria Building by Rector @FedericaMog, EU Ambassador @EUAmbAL, Albanian Minister of Education and Youth @GManastirliu, Mayor of Tirana @erionveliaj and local staff of Tirana. pic.twitter.com/an3ezhRgD2
— College of Europe (@collegeofeurope) September 5, 2024