Ambasadorja amerikane, Yuri Kim shprehu shqetësim për procesin e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, por drejtuesi i KLP dhe qeveria mohuan të ishin në dijeni të përpjekjeve për manipulim të garës apo presione.
Nga Blerina Gjoka – BIRN
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim shfaqi shqetësim për garën e zgjedhjes së kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme të martën, duke bërë thirrje që gara të mos manipulohet.
“Procesi i zgjedhjes duhet të jetë i pamanipuluar nga ata që kërkojnë të bllokojnë apo ndikojnë drejtësinë, nga ata që preferojnë mënyrat e vjetra dhe për rrjedhojë kundërshtojnë reformën në drejtësi. Taktika të tilla i përkasin një të shkuare që ka dëmtuar shumë. SPAK-u, si dhe reforma në drejtësi, duhet të jetë për të ardhmen e Shqipërisë,” shkruajti Kim në Twitter.
Kim theksoi gjithashtu se procesi duhet të jetë transparent dhe drejtuesi i ri i SPAK të zgjidhet në bazë të kualifikimeve dhe vendosmërisë për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gara për drejtuesin e SPAK po arrin drejt momentit final, pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi më 21 nëntor të miratonte të tre kandidatët; prokurorët Altin Dumani, Adnan Xholi dhe Edvin Kondili.
Ndërkohë, këmbanat e alarmit të ambasadores Kim për taktikat e vjetra për të ndikuar drejtësinë duket se kanë rënë në vesh të shurdhër.
Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla e minimizoi shqetësimin e ambasadores Kim si “merakun e një shteti mik për t’i paraprirë çdo gjëje”, ndërsa mohoi që procesi po shoqërohej me presione.
“Ne s’kemi ndonjë ndërhyrje dhe presion deri tani. Të paktën mua s’ma ka shprehur asnjë anëtar,” tha Balla, ndërsa shtoi se të “tre kandidaturat ishin të mira”.
Mesazhi i ambasadores amerikane duket se ka kaluar pa u vërejtur edhe nga qeveria, e cila mohoi “të ishte në dijeni të ndonjë paralajmërimi” për manipulim të garës.
I pyetur nga BIRN nëse qeveria po përpiqej të zgjidhte të preferuarin e vet në krye të SPAK, drejtori i Agjencisë për Media dhe Informim, Endri Fuga u përgjigj “prerazi Jo”.
“Si ideatorët, konceptuesit dhe mbështetësit më të vendosur të reformës në drejtësi, ne nuk mund veçse të respektojmë plotësisht reformën që kemi ideuar dhe votuar, dhe që garanton një sistem drejtësie të pavarur,” tha Fuga.
Prokuroria e Posaçme, SPAK është një ndër produktet kryesore të reformës në drejtësi, që synon të luftojë korrupsionin e niveleve të larta dhe krimin e organizuar. Drejtuesit të parë të kësaj strukture, Arben Kraja, i mbaron mandati në fund të dhjetorit.