Në fshatin Nikël të Krujës është vënë në pranga sot Marklen Haka, një nga të shumëkërkuarit e drejtësisë shqiptare, i cili prej disa kohësh qëndronte i fshehur në Dubai.
Policia e Shtetit njofton se operacioni “Liqeni i Bacungut” që çoi pas hekurave Hakën ka nisur një javë më parë dhe u finalizua këtë të premte.
Ajo çka bie në sy është se Haka shoqërohet nën masa të rrepta sigurie dhe këmbëzbathur.
“Falë inteligjencës policore, shërbimet e DVP Tiranë në bashkëpunim me Repartin Special RENEA, organizuan operacionin për kapjen dhe arrestimin e personit me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit Marklen Haka alias Marklen Aliu. Operacioni ishte i një shkalle të lartë vështirësie dhe rrezikshmërie, dhe ka filluar më datë 02.09.2024 dhe është finalizuar sot rreth orës 14:00. Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të Liqenit të Bacungut, Nikël, Krujë, ditën e sotme, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Marklen Haka (alias Marklen Aliu)”, njofton policia.
Po ashtu bëhet me dije se gjatë operacionit janë shoqëruar dhe persona të tjerë të cilët po verifikohen nga policia.
Në objektin ku është lokalizuar dhe ndaluar Marklen Haka, efektivët e RENEA-s kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë.
Marklen Haka rezultonte i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit ‘Revanshi’ dhe mbi të rëndojnë një sërë akuzash për vepra të rënda penale. I riu njihet si pjesë e ‘Bandës së Niklës’, ndërsa më 15 maj të këtij viti për të u lëshua edhe një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga GJKKO, që lidhet me akuzën për “vrasje me paramendim e mbetur në tentative” ndaj Durim Bamit.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi me vendimin 49/31 datë 15.05.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë në dëm të shtetasit D. B., kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 78/2, 22, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit penal, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit D. B., kryerja në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a e 334 të Kodit penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal”, sqaron policia.
Marklen Haka njihet edhe për faktin se i ka shpëtuar dy atentateve ndaj tij. I pari ndodhi në shtator të vitit 2019, kur u qëllua në derën e shtëpisë së tij dhe sulmi i autorëve la të vdekur hallën e të riut, Shpresa Bashën. Atentati i dytë ndaj tij ndodhi më 8 qershor 2022, kur në hyrje të fshatit Nikël u qëllua mbi të, por ia hodhi paq edhe pse mori një plumb në nofull.