Sport “Kemi 5 finale”, Sylvinho: Kualifikimi për në Euro 2024 vendoset në nëntor

“Kemi 5 finale”, Sylvinho: Kualifikimi për në Euro 2024 vendoset në nëntor

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvio Mendes Campos Junior, doli paraditen e kësaj të shtune në një konferencë për media ku sërish nuk pati asnjë mëdyshje për objektivin e Shqipërisë për Euro 2024: kualifikim në turneun që do të zhvillohet verën e ardhshme në Gjermani.

Braziliani ka thërritur 25 lojtarë për dy takimet e rëndësishme të shtatorit, më datë 7 në Çeki dhe tri ditë më pas në “Arenën Kombëtare” në Tiranë kundër Polonisë. Ai tregoi se pse nuk ka grumbulluar për këto sfida Amir Abrashin dhe Anis Mehmetin, ndërsa komentoi edhe rikthimin e Klaus Gjasulës dhe Odise Roshit, si dhe afrimin e Mirlind Dakut dhe Arbnor Mujës.

“Për këto dy ndeshje kemi bërë zgjedhjet për karakteristikat që kanë kundërshtarët. Në total në tre grumbullimet që kam bërë deri tani, nga marsi në shtator, kemi thirrur plot 36 lojtarë. Ky është avantazhi i të punuarit me një ekip kombëtar. Mund të ketë avantazhet e veta në disa momente, krahasuar me klubin. Mund t’ju them që kemi në listën e pritjes 51 emra, 51 lojtarë dhe aty bëjmë zgjedhjet tona. Kjo është diçka pozitive”, tha Sylvinho.

“Sa i përket Abrashit, të gjithë e njohim, mund të flasim gjatë, është një lojtar që jep zemrën në fushë, ka dhënë shumë për Shqipërinë. Absolutisht respekti për të është i madh dhe është patjetër në planet tona, por në këtë ndeshje ne i kemi bërë zgjedhjet duke pasur parasysh kundërshtarët. Për këtë arsye kemi marrë Gjasulën, pasi është një lojtar i gjatë, 1.90 metra. Normalisht në këtë ndeshje na duhen lojtarë që të kenë centimetra në fushë, sa më të gjatë në aspektin fizik. E njëjta gjë edhe për Mehmetin, është një lojtar i ri, është një lojtar që po përmirësohet. Në këtë rast mendoj se zgjedhja e duhur ishte të merrnim Roshin, i cili gjithashtu ka një avantazh sa i përket centimetrave. Ai është një lojtar që mund të ndryshojë edhe ritmin e ndeshjes në momentin që futet në fushë dhe mund të na ndihmojë shumë”.

Berisha apo Strakosha?

Një repart që shqetëson trajnerin është ai i portës, për shkak të problemeve në vitet e fundit të dy portierëve, Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha, të cilët nuk kanë luajtur rregullisht në klubet e tyre. “Berisha ka luajtur 34 ndeshje titullar në gjashtë vitet e fundit, ndërsa Strakosha ka qenë titullar në 18 ndeshje. Janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm dhe në momentin që jemi përpara këtyre dy ndeshjeve na duhet sa më shumë eksperiencë. Na duhet njerëz si ata të dy, të cilët mund të na ndihmojnë shumë”, tha braziliani.

Strategjia për dy sfidat vendimtare

Sylvinho pranon se të dy ndeshjet kanë nivel shumë të lartë vështirësie. “Kundërshtarët kanë edhe cilësi të mëdha teknike. Kemi Çekinë përpara, sigurisht një kundërshtar që është mësuar të luajë në Europian, që ka eksperiencë shumë të madhe. Për ne është e rëndësishme të luajmë sa më fort dhe të bëjmë një ndeshje sa më të mirë. Sa i përket lojës, ne kemi ADN-në e Shqipërisë, nuk është se mund të ndryshojmë shumë në këtë sens. Ne luajmë shanset tona, nuk ka rëndësi nëse mbajmë shumë topin apo jo. E rëndësishme për mua është që skuadra të bëjë një paraqitje sa më të mirë dhe të marrim maksimumin. Strategjia jonë e ndeshjes nuk do të ndryshojë, pavarësisht cilësive fizike të kundërshtarëve”, tha ai.

Mungojnë lojtarët e Superiores

I pyetur pse në listë nuk ka asnjë lojtar nga Kategoria Superiore, braziliani tha se nuk është momenti i duhur për të pasur të tillë në listë, por jo se nuk ka lojtarë cilësorë. “Stafi teknik e ka parë edhe Tiranën, edhe Partizanin e Egnatian në ndeshjet për Kupat e Europës. Kampionati shqiptar ka lojtarë të rëndësishëm. Në listën e pritjes të stafit teknik janë 51 lojtarë dhe në atë listë ka plot emra nga kampionati shqiptar. Thjesht mendoj se nuk është momenti i duhur për të pasur lojtarë por në të ardhmen, patjetër. Ata janë në vëmendjen tonë”, tha Sylvinho.

Objektivi dhe pritshmëritë e tifozëve

Sylvinho i quajti “5 finale” ndeshjet e mbetura në kualifikueset e Euro 2024, ku të gjithë kërkojnë kualifikimin. “Duhet të luajmë fort me synimin që kur të vijë nëntori ne të jemi në garë për t’u kualifikuar. Lojtarët do të nisin grumbullimin të hënën. i kam parë dhe kam folur me ta. Janë të gjithë entuziastë dhe të qetë, por jam i bindur që nuk ka eufori. Ata e dinë shumë mirë. Do të punojmë me qetësi. Duhet të kemi vazhdimësi, që në nëntor të jemi ende në garë për t’u kualifikuar”, tha ai.

“Nuk bëjmë dot llogari në këtë moment. Llogaritë duhen bërë në nëntor. Po punojmë për ndeshjen me Çekinë, jemi 100% të fokusuar te kjo ndeshje. Është një kundërshtar shumë i fortë, ekip fizik dhe kanë lojtarë cilësorë. Fokusi ynë është te kjo sfidë për momentin, të bëjmë një paraqitje sa më të mirë. Shkojmë për të marrë maksimumin, por nuk bëjmë dot një llogari. Është herët për të bërë llogari. Ajo që ka rëndësi për mua është të luajmë fort dhe të fitojmë në mënyrë që në nëntor të shkojmë me synimin për t’u kualifikuar. ‘Nëse nuk fitojmë, e rëndësishme është mos të humbasim”.