Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha në një konferencë për mediat se protesta e 7 Tetorit ishte vetëm aksioni i parë i mosbindjes civile. Ai deklaroi se kjo ka shumë forma dhe paralajmëroi vetëm disa prej tyre nëse nuk plotësohet kërkesa për qeveri teknike.
Që nga ngujimet, grevat e deri te bllokimet e rrugëve, Berisha tha se opozita ka 77 mënyra të mosbindjes civile.
Po ashtu paralajmëroi se ajo nuk do të kufizohet vetëm në Tiranë, por do të shtrihet edhe në qytete të tjera.
“Mbrëmë ishte aksioni i parë, por mosbindja ka shumë forma. Kemi ngujime përpara, kemi greva, kemi bllokime permanente rrugësh. Kemi 77 mënyra për mosbindje civile që do të asfiksojnë dhe paralizojnë. Do të shkërmoqin narkodiktaturën dhe narkoshtetin e Edi Ramës. Nëse ti mendon se mosbindja civile nisi në Tiranë dhe do të kufizohet vetëm aty mendohu mirë Edi Rama. Së shpejti në mosbindje do të kesh Shkodrën, pastaj Durrësin, Vlorën, Kukësin, Tepelenën, Lezhën e me radhë se nuk ke lënë qytet pa varfëruar me vjedhjet e tua. I gjithë vreri që ke derdhur mbi shqiptarët do të plasë mbi ty në javët që do vijnë”, tha Berisha.