I pranishëm në Samitin III të Diasporës ishte edhe Shqiprim Arifi, kreu i Komunës së Preshevës.
I lindur vetë në Diasporë, duke iu drejtuar gjithë shqiptarëve në vende të huaja, ai tha se janë shembull që nuk përshkruhen me fjalë pasi edhe me mosprezencë kontribuojnë në vazhdimësi për vendin tonë.
“Duhet t’ju them që jo çdo qeveri, apo qeverisje është perfekte. Ne nuk mund të jemi perfektë në kushte të tilla. Ne kemi për të përmirësuar pikë së pari një herë veten dhe pastaj edhe të tjerët. Në këtë formë, unë dua t’ju them vëllezër dhe motra nga Diaspora që mos u dëshpëroni sepse ndonjëherë duket shumë keq, por në brendësinë e saj është duke u zhvilluar mirësia, ndonjëherë duhet të kalosh zjarrin për t’u futur edhe në xhenet, ndonjëherë duhet të tejkalosh sfidat e tua shoqërore për të pasur një sukses në të ardhmen, dhe si një djalë i kontekstualizuar dhe i indoktrinuar fatkeqësisht në Gjermani, i cili nga afër e ka parë dhe rënien e murit të Berlinit, mund t’ju them se ka shpresë edhe në vendin tonë”, tha ai.
Arifi foli drejtpërdrejtë për problematikën në Preshevë, ku tha se ka një front të padukshëm me Serbinë e cila “po i mbyt qytetarët shqiptarë përmes një procesi të ngadaltë të spastrimit etnik burokratik”.
Ai theksoi se politika dhe Diaspora duhet të jenë të unifikuar sa i përket Luginës së Preshevës në veçanti, por jo vetëm.
“Sa i përket Preshevës që është halli im dhe duhet halli i gjithsecilit që gjendet dhe nuk gjendet këtu. Presheva kalon një situatë të pabesueshme, një situatë në të cilën çdo qytetar në mënyrë të përditshme, siç e ceku Presidentja Osmani mbytet ngadalë-ngadalë nëpërmjet një procesi të spastrimit etnik burokratik. Nuk e kemi një front të hapur me Serbinë, ne kemi një front të padukshëm që në një mënyrë të përditshme nga Serbia përdoret për t’u pasivizuar, diskriminuar, nënçmuar dhe për të hedhur mesazhin që shqiptarët në Luginën e Preshevës janë qytetarë të klasës së dytë, së tretë dhe së katërt.
Në këtë kontekst politika gjithandej, por edhe Diaspora duhet të jemi të unifikuar sa i përket Luginës së Preshevës në veçanti. Një nga kërkesat e mia ka qenë çdo herë e njëjta, e kam kërkuar një strategji kombëtare të thellë që inkludon shqiptarët në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës dhe në Maqedoninë e Veriut edhe pse janë shtetformues atje në Tiranë dhe në Prishtinë. Këtë e kam kërkuar dhe e vetmja kërkesë që është e imja politike në këtë nivel. Dhe në qoftë se ne shqiptarët në Tiranë dhe në Prishtinë nuk e kuptojmë që pa investuar, pa kultivuar, pa i ruajtur skajet e trojeve tona të cilat janë Mali i Zi, e cila është Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut në të njëjtin moment është e rrezikuar edhe Tirana, por edhe Prishtina”, tha Arifi.
Kryetari i Komunës së Preshevës tha se Shqipëria nuk i ka asnjë borxh Diasporës. Duke u ndalur sërish tek Presheva kërkoi që nga politika të investohet më shumë kohë.
“Ne duhet të kuptojmë se jemi një, por ajo që na mungon është koha. Dëgjova Presidentin e Shqipërisë që tha se Shqipëria diasporës i ka borxh. Ia lejoj vetes me fol sot në emër të Diasporës. Zoti President Shqipëria fare nuk na ka borxh asgjë, ne i kemi borxh Shqipërisë pandërprerë. E dëgjova gjithashtu dhe presidenten Osmani që tha jemi me ju në Luginë të Preshevës. Zonja Presidente, ne ju ndjejmë juve pa ndërprerë në Luginë të Preshevës. Ajo që unë dua të shtoj është koha. Çdo ditë që e humbim pa aktivitet në Luginën e Preshevës është një humbje e një qytetari shqiptar në atë vend autokton shqiptar, çdo ditë. Do ju kisha kërkuar të investoni më shumë kohë, përveç qëndrimeve tona pro neve dhe më shumë kohë për neve dhe unifikim”, tha Arifi.