Epidemiologu Ilir Alimehmeti, shpjegoi në televizionin A2 arsyet pse Shqipëria po e kalon shumë më lehtë pandeminë Covid-19 sesa fqinji i saj, Italia, që është një nga vendet më të goditur në botë.
“Na kanë ndihmuar karakteristikat e popullatës, që ndryshon shumë nga ajo italiane. Ajo italiane është e dyta në botë me popullatën më të vjetër, ndërsa Shqipëria ka moshën e dytë më të ulët në Evropë. Gjithashtu, ne jemi rritur në kushte jo aq sterile sa Italia e Veriut, ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me bakteret dhe viruset, duke pasur kështu një sistem imunitar më të mirë. Edhe Italia e Veriut ka ndryshim me Italinë e Jugut po ta vini re me kujdes. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj baktereve bëri që imuniteti jonë të ishte gati. Patjetër që kanë kontribuar edhe masat, që ishin më të rrepta dhe u morën më shpejt sesa në Itali”, theksoi Alimehmeti.
Epidemiologu nënvizoi se lirimi i masave është i drejtë, duke parë situatën ku ndodhemi.
“Jemi në përdorim minimal të kapacitetit spitalor, prandaj ka kuptim që të lirohen masat. Nëse shifrat bëhen alarmante, që do të thotë 20-fish i nivelit që është sot, mund të kthehemi pas”, tha Alimehmeti.