Koncertet e planifikuara të këngëtares serbe Ceca, në Malin e Zi, kanë ngjallur polemika. Prania e saj ka sjellë kundërshtime të forta nga komuniteti shqiptar në vendin fqinj dhe jo vetëm, të cilët po bëjnë thirrje për bojkotim të koncertit.
Svetlana Raznatoviç (Ceca), e njohur si një ikonë e muzikës pop-folk në Serbi, është një figurë e kontroverse, pasi bashkëshorti i saj, Zeljko Raznatovoç (Arkani) akuzohet për krime lufte gjatë konfliktit në ish-Jugosllavi, përfshi edhe atë në Kosovë.
Organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët shqiptarë e akuzojnë këngëtaren se ka mbështetur krimet e luftës dhe se ka qenë pjesë e një regjimi që ka shkaktuar shumë vuajtje dhe dëme për popullin shqiptar. Kritikët argumentojnë se prania e Ceca-s është një provokim.
“Nuk jam kundër artit, nuk jam kundër muzikës, se jam rritur me atë muzikë në Mal të Zi dhe e dëgjoj. Por po, jam kundër me më ardhë dikush në breg të shtëpisë të më këndojë këtu që burri i saj ka vrarë me mijëra njerëz të pafajshëm. Por gjithkush ka të drejtë në zgjedhjet e veta. Kaq prej meje”, tha modelja shqiptare, Emina Cunmulaj në një postim në Instagram Story disa ditë më parë.
Reagim të ashpër ka bërë edhe ish-koloneli shqiptar, Dritan Demiraj. “Të gjithë bashkëkombësit tanë në Malin e Zi duhet t’i bashkohen thirrjes së organizatave shqiptaro-amerikane nga diaspora në Mal të Zi për të bojkotuar koncertin e këngëtares serbe Svetlana Raznatoviç, ish-bashkëshortes së kriminelit famëkeq Zlejko Raznatoviç (Arkani). Ai ka qenë komandant i forcave paramilitare serbe “Tigrat” përgjegjës për vrasje dhe gjenocid kundër fëmijëve, burrave dhe grave të paarmatosur në Bosnje dhe në Dardani, në Reçak”, shkruan ai në rrjetet sociale.
Por organizatorët e koncertit argumentojnë se kjo është një shfaqje artistike dhe se bojkotimi nuk do të sjellë gjë tjetër veç se tensione dhe ndarje mes komuniteteve të ndryshme etnike në Malin e Zi.
Masa të rrepta sigurie para koncertit në Ulqin
Mediat serbe raportuan se Ceca mbërriti të dielën në Mal të Zi, ku fillimisht do të performojë në Ulqin, por edhe në qytete të tjera përgjatë muajit gusht.
Prania e saj është shoqëruar me masa të rrepta sigurie. Gjatë të dielës, sheshi i madh ku do të mbahej koncerti është kontrolluar rreptësisht nga 50 pjesëtarë të njësisë antiterror, të cilët kanë përdorur edhe qentë. Për pak kohë është mbyllur edhe vetë restoranti, i cili ndodhet në plazhin ku ajo performon.