Këngëtarja e njohur dhe mjaft e talentuar Marsela Çibukaj është bërë pjesë e rubrikës “Tani mund të këndosh” tek E Diela Shqiptare. Ajo ka rrëfyer për herë të parë eksperiencën e saj kur udhëtoi me gomone në moshë 8-vjeçare drejt Italisë. Një eksperiencë e frikshme dhe sfilitëse për të dhe familjen e saj.
Marsela Çibukaj: Unë isha shumë e vogël, nuk i kisha mbushur ende 8 vjeç, mami dhe motra 2 vjeç dhe jemi nisur me gomone. Mbaj mend frikë, terror, trishtim, shumë pyetje për të ardhmen, çfarë do ndodhte më vonë.
Ardit Gjebrea: Ti ke ikur ditën apo natën?
Marsela Çibukaj: Natën dhe ishte hera e parë që unë shikoja detin natën i cili transformohet në një diçka të zezë, të errët, të frikshme e të pabesë. Ne kemi qenë dy vajza të vogla, të parat që hipnin në atë gomone. Ne rrezikuam, nuk e dinin se çfarë do na ndodhte. Jemi nisur në orën 11 të darkës, u zhytëm në det derisa mbërritëm tek gomonia, na tërhoqën sipër disa djem. Në anën tjetër të detit na priste babi që ishte nisur më përpara me gomone.
Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi në udhëtimin e parë? Them udhëtimi i parë sepse ti e ke provuar disa herë.
Marsela Çibukaj: Shumica niseshin në darkë me idenë që do niste udhëtimi mbarë. Në kanalin e Otrantos, kishim gjithmonë pengesa. Udhëtimi i parë dhe i dytë me gomone dështoi, por tek e treta eci mbarë.
Ishte një udhëtim i heshtur, nuk flisnim dot se nuk mund të tërhiqnim vëmendje. Mami na shtrëngoi fort duart dhe na tha do shkojmë tek babi dhe nuk duhet të flasim dhe mbetëm të heshtura derisa mbërritëm në brigjet italiane. Kishim frikë për jetën dhe frikë për të mos parë njerëzit që kishim lënë pas. Deti për shumë vite na ishte kthyer në një makth, në një ëndërr shumë të keqe.
Ardit Gjebrea: Arritët në brigjet e Italisë, ku zbarkuat?
Marsela Çibukaj: Unë nuk e di ku mund të kemi zbritur, supozoj në brigjet e Leçes. Zbarkuam mbi disa shkëmbinj të egër. Duke vrapuar më ra sandalja në ujë, mami në tërhoqi me duar dhe më tha nuk ka problem, do të të japë mami shapkat e mia. Ajo 2-3 orë eci zbathur në disa fusha me kashtë të egër dhe plot me gjemba. Më pas kemi mbërritur në një kapanon ku na shpërndanë në disa familje që erdhën na morën me makina.
Ardit Gjebrea: Më trego pak momentin kur ke takuar babin.
Marsela Çibukaj: Kur zbritëm në Leçe, na u desh të merrnim trenin që të na çonte drejt Romës dhe menduam që kur të arrinim aty do na priste babi, por ai nuk jetonte në Romë, kishte gjetur një sistemim së bashku me vëllezërit e tij në një provincë të Romës dhe nga provinca deri në Romë, duheshin disa minuta. Në ’93 nuk kishim celularë dhe ishte gjithçka shumë e lënë në dorën e fatit derisa të vinte ajo telefonata e famshme ‘babi arritëm’, ai nuk dinte nëse këta fëmijë kishin ardhur, kështu që mbetej çdo gjë në dorë të fatit. Arritëm të gjenim një kabinë telefonike për të telefonuar babin tek familja italiane ku babi qëndronte. Babi tha aty do rrini, do vij unë së bashku me xhaxhi Petritin, me vëllanë e tij dhe do ju marrim, do dëgjoni një fishkëllimë dhe ata jemi ne. Përqafimi me babin ishte çlirim i madh, më në fund ia kishim hedhur dhe të fillonim një jetë të re.