Një anëtari të kolonisë së pinguinëve afrikanë të kopshtit zoologjik të San Diegos i janë dhënë këpucë ortopedike për ta ndihmuar të ecë.
Kafsha vuan nga një sëmundje degjenerative e këmbëve.
Pinguini 4-vjeçar, i quajtur Lucas, ka gunga në këmbë për shkak të një gjendjeje inflamatore kronike, e njohur gjithashtu si pododermatiti, i cili prek shumë zogj dhe nëse nuk trajtohet, mund të çojë në vdekje.
Për këtë, specialistët e kopshtit zoologjik kontaktuan organizatën “Thera-Paw”, e cila prodhon ndihma rehabilituese për kafshët me nevoja të veçanta.
Kompania prodhoi “këpucë” speciale prej neopreni dhe gome për të parandaluar formimin e flluskave dhe plagëve në këmbët e Lucas gjatë qëndrimit dhe ecjes, duke lehtësuar kështu problemet e tij që zgjasin prej më shumë se tre vjetësh.
Popullsia e pinguinëve afrikanë po zvogëlohet nga viti në vit, dhe Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës i ka futur në listën e specieve të rrezikuara.