Disa nga të emëruarit e kabinetit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump u vunë në shënjestër të “kërcënimeve të dhunshme”, mes të tjerash edhe kërcënime me bombë, tha të mërkurën një zëdhënëse e presidentit të ardhshëm amerikan.
Kërcënimet u bënë mbrëmjen e së martës dhe mëngjesin e së mërkurës. Organet e zbatimit të ligjit vepruan me shpejtësi për të garantuar sigurinë e individëve të vënë në shënjestër, tha përmes një deklarate zëdhënësja Karoline Leavitt.
Ajo nuk dha detaje se kush ishte kërcënuar dhe nuk foli mbi natyrën e kërcënimeve në fjalë.
Byroja Federale e Hetimeve ka publikuar një deklaratë lidhur me kërcënimet.
“FBI-ja është në dijeni të kërcënimeve të shumta me bomba dhe incidenteve të sulmit që synojnë të emëruarit e administratës dhe ne po punojmë me partnerët tanë për të zbatuar ligjin. Ne i marrim seriozisht të gjitha kërcënimet e mundshme dhe si gjithmonë, inkurajojmë publikun që të raportojnë menjëherë çdo gjë që ata e konsiderojnë të dyshimtë”, thuhet në deklaratë.
Zëdhënësja Leavitt tha se ndër kërcënimet në fjalë ishin edhe njoftimet e rreme tek organet e rendit për një krim në një adresë të caktuar, me qëllim nxitjen e një reagimi të ashpër dhe të armatosur të organeve të rendit ndaj shtëpisë së një individi të caktuar.