Pas miratimit me 198 vota pro të rezolutës së OKB-së kundër vendimit të SHBA për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, rezolutë që e bën “nul dhe të pavlefshëm” vendimin e Trump, ka reaguar ambasadorja amerikane Nikki Haley.
Ambasadorja e SHBA në OKB, Nikki Haley ka përsëritur kërcënimin se vendi i saj do të përdorë ndikimin për të ndëshkuar ata që votuan kundër.
“Shtetet e Bashkuara do ta kujtojnë këtë ditë në të cilën u veçuan për t’u sulmuar në Asamblenë e Përgjithshme për vetë aktin e ushtrimit të së drejtës sonë si vend sovran”, tha ambasadorja e SHBA Nikki Haley në komentet e bëra në sallën e mbushur plot para votimit.
“Ne do ta kujtojmë këtë kur të na kërkohet përsëri të japim kontributin tonë në Kombet e Bashkuara, më i madhi në botë; do ta kujtojmë gjithashtu kur shumë vende të vijnë e të na kërkojnë, siç bëjnë aq shpesh, që ne të paguajmë akoma më shumë dhe të përdorim ndikimin tonë në dobi të tyre”, shtoi zonja Haley.
“Ata që mbështesin rezolutën e sotme janë si kukulla të manipuluara me fijet e mjeshtërve palestinezë“, tha ambasadori izraelit Danny Danon. “Jeni si marioneta të detyruara të kërceni, ndërsa udhëheqja palestineze ju vëzhgon e ngazëllyer,” tha ai.