Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë reaguar për rastin e dy prokuroreve të cilat kanë marrë kërcënime nga grupi i Leart Haxhiut.
SHBA dhe BE shprehen të shqetësuara për kërcënimet e bëra ndaj autoriteteve gjyqësore në vend. Ndërkombëtarët theksojnë se prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje që ta kryejnë detyrën e tyre pa frikën e kërcënimeve.
“Një sistem drejtësie që funksionon pa frikë dhe kërcënime është kërkesë legjitime e popullit shqiptar dhe Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për kërcënimet për dhunë ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit që po punojnë për ta bërë Shqipërinë të sigurt, të begatë dhe më demokratike. Hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa kërcënime apo kanosje. Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për zyrtarët e zbatimit të ligjit në Shqipëri, të cilët po luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar me guxim, si dhe janë gati të mbështesin përpjekjet e tyre”, shkruan ambasada nw rrjetet sociale.
“Delegacioni i BE-së në Shqipëri është thellësisht i shqetësuar për kërcënimet e bëra ndaj autoriteteve gjyqësore që punojnë çdo ditë në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare për të hetuar me shpejtësi këto kërcënime dhe të mbajnë përgjegjës autorët. BE mbështet plotësisht të gjithë zyrtarët që punojnë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri dhe dënon çdo formë të sjelljes kërcënuese ndaj tyre dhe vazhdon të mbështesë vendin në përpjekjet e tij për të forcuar sundimin e ligjit”, deklaroi delegacioni e Bashkimit Europian në Shqipëri.
Këtë të diel, Policia e Shtetit ka marrë në ruajtje prokuroren e SPAK, Doloresa Musabelliu, menjëherë mbasi i penduari Artan Tafani rrëfeu se si kreu i grupit Laert Haxhiu, kishte planifikuar eliminimin e saj.