Marshimi i grupit mercenar Wagner drejt Moskës ringjalli një frikë të vjetër në Uashington: çfarë ndodh me rezervat bërthamore të Rusisë në rast të trazirave të brendshme?
Shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, e ndërpreu rebelimin kundër regjimit pas një marrëveshjeje që ndërmjetësoi udhëheqësi bjellorus.
Kjo i uli shqetësimet e menjëhershme për një konflikt të madh brenda Rusisë, por sinjalizoi se pushteti i presidentit rus, Vladimir Putin, po dobësohet.
Imazhet e tankeve në rrugët e qyteteve ruse sollën në mendje grusht-shtetin e dështuar të vitit 1991 nga linjat e ashpra komuniste, që rriti shqetësimet për sigurinë e arsenalit bërthamor sovjetik, thonë ish-zyrtarë të inteligjencës amerikane.
“Komuniteti i inteligjencës do të jetë super i fokusuar në rezervat bërthamore [ruse]”, thotë Marc Polymeropoulos, ish-oficer i lartë i CIA-s, që ka mbikëqyrur operacione klandestine të agjencisë në Evropë dhe Euroazi.
“Ju dëshironi të dini se kush e ka kontrollin e armëve bërthamore, sepse jeni të shqetësuar se terroristë ose njerëz të këqij si [udhëheqësi çeçen, Ramzan] Kadyrov mund të vijnë më pas”, thotë Daniel Hoffman, ish-oficer i lartë i CIA-s, i cili ka shërbyer si shef i stacionit të agjencisë në Moskë.
Kadyrov dërgoi mijëra forca të tij në Rostov-on-Don – qytet në jug të Rusisë, i pushtuar dhe më pas i braktisur nga luftëtarët e Prigozhinit – duke u zotuar se do të ndihmojë në shuarjen e revoltës.
Zyrtarët amerikanë thonë se nuk shohin ndonjë kërcënim të menjëhershëm për sigurinë e armëve strategjike dhe taktike të Rusisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se marrëveshja që ktheu luftëtarët e Wagnerit në kampet e tyre, kishte për qëllim shmangien e konfrontimit dhe të gjakderdhjes.
“Ne nuk kemi parë ndonjë ndryshim në sistemimin e forcave bërthamore ruse”, tha një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA.
“Rusia ka përgjegjësi të veçantë për të mbajtur komandën dhe kontrollin e forcave të saj bërthamore dhe për të siguruar që të mos ndërmerren veprime që rrezikojnë stabilitetin strategjik”, tha ai.
Por, siguria e këtyre armëve është një shqetësim i vazhdueshëm për Uashingtonin.
Agjencitë e inteligjencës amerikane thanë në vlerësimin e tyre vjetor të kërcënimit, për 2023-shin, se “siguria bërthamore e Rusisë mbetet një shqetësim, pavarësisht përmirësimeve në mbrojtjen e materialeve dhe kontrollin e tyre”.
Zinxhiri i komandës bërthamore
Një skenar shqetësues është mundësia që një fraksion ushtarak fiton aftësi vendimmarrëse mbi disa prej armëve, nëse përçarjet për luftën në Ukrainë që i ekspozoi rebelimi i Prigozhinit, shpërthejnë sërish.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre pyeten se si do t’i përdorë armët ndonjë autoritet i ri, thotë Hoffman.
“Dhe ai mund të mos luajë me të njëjtat rregulla që i ka Putini”, thotë ai, duke vënë në dukje se si udhëheqësi rus nuk ka vepruar ndaj kërcënimeve bërthamore që ka bërë, në përgjigje të mbështetjes së Perëndimit për luftën e Ukrainës kundër forcave pushtuese ruse.
Arsenali bërthamor i Rusisë është më i madhi në botë. Sipas vlerësimeve të Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë në vitin 2022, Rusia ka 5.977 koka bërthamore, krahasuar me 5.428 që vlerësohet se i ka SHBA-ja.
Mbledhja e informacioneve për strukturën komanduese të forcave strategjike të Rusisë dhe për sigurinë dhe aspektet e tjera të tyre ka qenë, prej kohësh, një nga prioritetet më të larta të agjencive të spiunazhit të SHBA-së, thonë ish-oficerët e CIA-s.
Kjo punë u bë më e vështirë me vendimin e Putinit, në gusht të vitit 2022, për të ndalur inspektimet e SHBA-së në vendet bërthamore të Rusisë, ashtu siç parashihte marrëveshja START-i i Ri.
Ky vendim bëri që Uashingtoni të varet shumë nga satelitët spiunë, për të vlerësuar sigurinë e vendeve të armëve bërthamore dhe lëvizjet e kokave bërthamore, thotë Polymeropoulos.
“Ky ka qenë gjithmonë një prioritet super i lartë i SHBA-së – informacionet për komandën dhe kontrollin e armëve bërthamore në Rusi”, thotë Hoffman.
“Ne të gjithë e dimë se janë të rrezikshme, prandaj i kemi pasur të gjitha ato traktate, ku kemi pasur shumë transparencë, e që tani janë zhdukur”, përfundon ai./REL