Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës vendosi të lërë në burg dy nga pesë personat e arrestuar për kërcënim për shkak të detyrës ndaj presidentit të FSHF, Armand Duka.
Seanca e drejtuar nga gjyqtari Paulin Çera ka pranuar kërkesën e prokurorisë Durrës, e cila kërkoi që shtetasit Nazmi Selmani dhe Petrit Selmani të lihen në burg, ndërkohë që Redian Loci, Brajan Selmani dhe Santiago Selmani, u lanë të lirë.
Prokuroria përfaqësohej në këtë seancë nga prokurori Pali Deçolli.
Në seancën për vlerësimin e masës së sigurisë shtetasi Nazmi Selmani, babai i tre futbollistëve dhe president i klubit “Iliria” të Fushë Krujës, është shprehur se Armand Dukën e ka mik dhe e njeh prej kohësh dhe se nuk e ka kërcënuar.
Më tej ka vazhduar se nuk e kupton pse Duka e ka denoncuar në polici për kërcënim pasi njihen dhe kanë bashkëpunim prej vitesh dhe sipas tij, ngjarja ndodhi në një moment gjaknxehtësie.
Pavarësisht këtyre pretendimeve, gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke lënë në burg Nazmi Selmanin dhe Petrit Selmanin, ndërsa tre të tjerët janë lënë me detyrim paraqitje.
Konflikti mes tyre ka ardhur pasi Selmani ka kërkuar që Duka t’i fusë një nga djemtë në kombëtare. Bëhet fjalë për Gentian Selmanin, që aktualisht është i angazhuar si portier në ekipin e Tiranës.
Mosrealizimi i dëshirës nga ana e Dukës, ka bërë që Nazmi Selmani të nisë mesazhe kërcënuese kundrejt Presidentit të FSHF-së. Më pas bashkë me djemtë e tij dhe një tjetër person i kanë shkuar në banesë. Ata u arrestuan menjëherë nga policia.