Mes dhjetëra të rinjve, kryesisht adoleshentë që kallëzojnë në polici për përdorimin e profileve false me qëllim denigrimin, nuk i ka shpëtuar këtij fenomeni edhe një efektive e policisë. 27-vjeçarja Jorgjica Dh., me detyrë specialiste në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka kallëzuar e shqetësuar përdorimin e fotografive të saj nga persona të paidentifikuar. Efektivja e policisë thotë: “Më kanë njoftuar miqtë se me fotogtafitë e mia është hapur një llogari në rrjetin social Instagram. Menjëherë sapo e mora vesh, kërkova në këtë rrjet social dhe shikoj emrin dhe fotot e mia, të cilat unë i kam publikuar vetëm në rrjetin social Facebook. Këto fotografi mund t’i shikojnë vetëm miqtë që kam atje”.
Më pas, policja tregon shqetësimin dhe ankthin e shkaktuar nga hapja e llogarisë në Instagram: “U shokova kur shokë të ndryshëm më thanë që unë disponoja një profil në Instagram dhe personi i cili administron këtë profil pretendon dhe shtiret si unë, vepron dhe sillet njësoj si unë. Ky person ka qëllim që të njohurit e mi të mendojnë se në Intstagram jam unë. Mendoj se ky veprim është i menduar dhe keqdashës. Mendoj se mund të më sjellë pasoja shumë të dëmshme në pozicionin e punës ku jam, gjithashtu edhe në jetën private”.
Burime të Sektorit Kundër Krimeve Kompjuterike i thanë Gazetës “Si” se rezulton se kjo llogari false është hapur në nëntor 2019, por specialistët hasin vështirësi në zbulimin e fajtorëve.
“Por ne kemi pasur raste më të rënda se ky”, sqaroi një burim. Një adoleshente në Tiranë raportohet se ka kaluar në depresion nga Instagrami i hapur nga shokët e saj të klasës. Rasti u denoncua nga e ëma, e cila konstatoi ndryshim në sjelljen e së të miturës dhe mbyllje në vetvete. Kur u pyet nga psikologët, e mitura tregoi se dikush kishte hapur llogari në Instagram në emrin e saj dhe prej andej postoheshin fotografi nudo dhe jepeshin mesazhe të turpshme. ”Gjithë klasa e di dhe po qeshin, por ajo nuk jam unë”, shtoi e mitura kur u pyet nga specialistët. “Rasti u zbulua pas disa muajsh hetimesh dhe, siç rezultoi, autori ishte bashkëmoshatari i të miturës”, sqarojnë ekspertët e Krimeve Kompjuterike. E mitura deklaroi se në një rast kishte menduar të vriste veten, pasi nuk e përballonte dot presionin dhe talljet në shkollë. / Gazeta “Si”