Aktualitet Kërcënohet aktorja që publikoi videon e dhunimit të të moshuarës në azil

Kërcënohet aktorja që publikoi videon e dhunimit të të moshuarës në azil

Aktorja dhe aktivistja Kaltrinë Zeneli thotë se është kërcënuar pasi publikoi videon ku shihej se një infermiere godiste një grua në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.

Ajo ka thënë se është kërcënuar nga një person pasi publikoi këtë video.

“Veç mos të pafsha në rrugë se kam me t’mbyt”, ka qenë njëri ndër mesazhet kërcënuese, për të cilin Zeneli tregoi në një emision në KTV.

E moshuara dyshohet se dhunohej prej kohësh nga punonjëset e një qendre azili pleqsh në qytetin e Pejës në Kosovë, por rasti i rëndë u bë publik vetëm pas publikimit të videos në rrjetet sociale.

Në video shfaqet njëra prej punonjëseve që godet me shpulla të moshuarën, ndërsa koleget e saj qeshin në sfond.

E moshuara është e ëma e Taulant Nurës, i rënë në luftën për çlirimin e Kosovës. Të afërmit e viktimës e kanë nxjerrë menjëherë nga azili privat, ku siç deklaruan paguanin 650 euro. Ata thanë se ajo nuk kishte treguar dhunën pasi vuante nga Alzhaimeri.