I arrestuari si personi që ka dijeni mbi itenerarin që kanë ndjekur vrasësit e ish policit Santjago Malko pretendon se është kërcënuar për jetën.
Denoncimi vjen nga avokati i Blendi Teta, që i pyetur nga Top Channel shpjegon se menjëherë pas masës së sigurisë, të vendosur nga Gjykata, 39-vjeçari është transferuar për kushte sigurie më të forta, jo në paraburgimin e Tiranës por në një qytet tjetër. Por edhe aty atij i është dërguar një mesazh paralajmërues.
Avokati thotë se klienti i tij ishte i trembur edhe para prangosjes dhe për këtë shkak është vetëdorëzuar.
Vrasja e ish policit, Santjago Malko, që thuhet se është mik i Ervis Martinit ka vënë policinë dhe Prokurorinë përpara shumë pistash hetimore, jo vetëm për ngjarje të ndodhura në Tiranë por edhe në Durrës.
Por pas këqyrjes se dhjetëra kamerash të sigurisë, hetuesit kuptuan se viktima ishte ndjekur hap pas hapi nga dy makina, në njërën prej të cilave më pas u mësua se ishte edhe Teta.
Rrëfimi i mëpasshëm i 39-vjeçarit nxori edhe emra të tjerë në skenë, mes tyre edhe dy vëllezërit Duka si edhe një vlonjat, tashmë të shpallur në kërkim.
Vëllezërit Duka sipas policisë kanë administruar gjithashtu lojëra fati. Ndërkohë që Blendi Teta i cili ka rrëfyer dijeninë e tij mbi survejimin e shënjestrës, akuzohet se ka kryer veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës. ndërkaq Prokuroria nuk jep asnjë të dhënë nëse të dyshuarit të vetëm të ngjarjes, i është afruar apo jo statusi i bashkëpunëtorit. /TCH