Aktualitet Kërcënoi gruan dhe fëmijët se do t’i digjte me benzinë dhe i...

Kërcënoi gruan dhe fëmijët se do t’i digjte me benzinë dhe i vuri zjarri banesës, arrestohet 54-vjeçari në Kamëz

Një 54-vjeçar nga Kamza ka rënë në prangat e policisë, pasi kanosi bashkëshorten e tij dhe fëmijët e tyre, se do t’i digjte me benzinë, dhe më pas i vuri zjarrin banesës.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Tuk Jakova”, një shtetas kishte kanosur për jetën familjarët e tij, menjëherë kanë organizuar punën për vënien e autorit përpara përgjegjësisë penale. Si rezultat i veprimeve profesionale të punonjësve të Policisë, është kapur dhe vënë në pranga shtetasi B. D., 54 vjeç”.

Sipas Policisë ditën e djeshme, në rrugën “Tuk Jakova”, 54-vjeçari dyshohet se ka kanosur bashkëshorten e tij dhe fëmijët e tyre se do t’i digjte me benzinë dhe më pas i ka vënë zjarrin banesës.

Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.