Politika Kërkesa për arrestimin e Bllako, kush pritet t’i zërë vendin në Parlament

Kërkesa për arrestimin e Bllako, kush pritet t’i zërë vendin në Parlament

Kuvendi i Shqipërisë ka marrë këtë të martë të 29 Marsit një kërkesë nga SPAK për dhënie të autorizimit për caktimin e masës sigurimit personal “arrest në burg” për deputetin socialist Alqi Bllako.

Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e deputetit i cili akuzohet si i përfshirë në aferën e inceneratorëve të Fierit dhe të Elbasanit.

Mësohet se ditën e nesërme, 30 mars, pritet të mblidhet Këshilli i Mandateve, që do të shqyrtojë kërkesën e SPAK lidhur me mandatin e deputetit të Alqi Bllakos.

Në rast se Komisioni i Mandateve vendos i hap rrugë organeve të drejtësisë, atëherë i hapet mundësia të tjerë kandidatëve të listës së 25 qershorit për qarkun e Tiranës.

Dy ndër kandidatët në pritje janë Pandeli Majko i listuar i nëntëmbëdhjeti me 8780 vota dhe Dallëndyshe Bici e listuar në numrin 21 me një sasi votash prej 4977.

“Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse, përveçse kur plotësimi i vakancës me kandidatin e radhës ul përfaqësimin e gjinisë së nënpërfaqësuar. Në këtë rast plotësimi i vakancës bëhet nga kandidati i parë në listë i gjinisë së nënpërfaqësuar pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk zbatohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar”, thuhet në Kodin Zgjedhor.