Italia është gati të nisë eksplorimin për rezerva nafte dhe gazi në detin Jon, dhe për këtë arsye do ët bllokojë një hapësirë prej 2200 kilometrash katrorë. Këtë gjë e nënvizon vetë Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Italisë, duke firmosur 3 leje të reja eksplorimi në favor të një shoqërie amerikane. Ky vendim ka sjellë përplasje të tjera brenda koalicionit qeverisës, pas atyre për gazsjellësin Transadriatik.
Lëvizja 5 yjet premtonte gjatë fushatës elektorale bllokimin e çdo procesi eksplorimi për naftë.
Ministri i ambientit Sergio Costa është në krye të kësaj armiqësie të re brenda koalicionit qeverisës pasi ka deklaruar se nuk do ta firmosë kurrë një dokument që autorizon operacionin e shpim-kërkimit në detin Jon. Vetë kreu i 5 yjeve, Luigi di Maio deklaroi se do të bëjë ç`është e mundur për ta ndalur këtë proces. Për të filluar ky proces, do të duhet që të arrihet një marrëveshje me qeverinë shqiptare, por edhe me atë greke.
Kjo e fundit ndërkohë e ka dhënë bekimin e saj, për zonën në jugperëndim të ishullit të Korfuzit, në një hapësirë brenda juridiksionit grek, ndërkohë që këtë vit do të ratifikojë marrëveshjen për delimitimin e 12 miljeve hapësirë detare. Zonat për të cilat është dhënë leja në fjalë janë poshtë brigjeve të Puglias e për rrjedhojë edhe shumë pranë brigjeve shqiptare. Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë ndërkohë mbetet ende pezull. Kështu, pas Greqisë, duket se është radha e Italisë që të nisë operacionet për kërkimin e naftës dhe gazit në detin Jon, ku vlerësimet paraprake flasin për rezerva mjaft të mëdha të arit të zi./SCAN