Një 61-vjeçar nga Kosova është arrestuar në portin e Durrësit. Sipas informacioneve policore, 61-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar nga Bullgaria për tentativë për vrasje dhe për vjedhje në rrethana rënduese.
Ndaj tij ishte caktuar nga gjykata në Bullgari masa e sigurisë “arrest në burg”. Pritet ekstradimi i 61-vjeçarit, në Bullgari.
NJOFTIMI I POLICISË:
Ndalohet në dalje të Shqipërisë, një shtetas kosovar i kërkuar ndërkombëtarisht nga autoritetet në Bullgari, për tentativë për vrasje dhe për vjedhje në rrethana rënduese.
Si rezultat i intervistimeve të detajuara dhe verifikimeve të tjera të kryera me qëllim parandalimin e lëvizjes së kundërligjshme të shtetasve që janë të shpallur në kërkim, si dhe për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, Policia e PKK Port Durrës, pas shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Sofias, ndaloi dhe arrestoi provizorisht, me qëllim ekstradimin në Bullgari, shtetasin kosovar Z. H., 61 vjeç.
Ky shtetas, i dënuar më parë në Bullgari, është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e këtij shteti, pasi i është caktuar masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, dhe “Vjedhja në rrethana rënduese”.
Vijon bashkëpunimi për ekstradimin e 61-vjeçarit, në Bullgari.