Një 40-vjeçar është arrestuar nga policia pasi ishte në kërkim nga autoritetet italiane. Shkëlqim Çela (Çypi) u kap në qytetin e Tiranës. Operacioni për arrestimin e tij u quajt “Alias”. Në fakt 40-vjeçari Çela njihej edhe me të paktën tre emra të tjerë.
“U organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Alias”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe prangosja e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar Shkëlqim Çela (Çypi), alias Arian Konti, alias Fatjol Perleka, alias Shkëlqim Qypi, 40 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Luz, Fushë Krujë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Udines në Itali e ka dënuar me 9 vjet, 11 muaj e 20 ditë burg, për veprën penale “Vjedhja në rrethana rënduese”. Pritet që së shpejti 40-vjeçari të ekstradohet drejt Italisë.